Fjalët magjike

Materialet dhe mjetet: Lodrat e fëmijës

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën për fjalët magjike, cilat janë ato dhe kur duhet përdorur, p.sh. kur themi “Faleminderit!”, “Të lutem!”, “Më fal!” etj.

Luhet loja “Byreku”. (Dramatizim i tregimit). Në këtë rast, prindi apo kujdestari bën sikur po gatuan byrek. Në kuzhinë hyn fëmija. Nuk thotë “Mirëdita!”, por hyn duke përplasur derën, nuk pastron duart dhe me zë të lartë thërret: “Dua byreeek”; prindi apo kujdestari që bën sikur po gatuan byrekun nuk përgjigjet dhe nuk e kthen as kokën për ta shikuar. Fëmija sërish, me zë të lartë, thërret “Dua byreeek” dhe përplas këmbët për dysheme. Prindi sërish nuk e kthen kokën dhe bën sikur nuk dëgjon. Fëmija e kupton gabimin e vet. Del jashtë, shkon pastron duart, hyn në kuzhinë dhe thotë “Mirëdita nënë/baba!”, “a je lodhur?” “a ke nevojë të të ndihmoj?” Nëna/babai kthen kokën dhe i buzëqesh duke thënë: “tani të kuptova”. Fëmija përqafon nënën/babanë. E ndihmon në shtrimin e tavolinës dhe i thotë nënës/babait “Faleminderit shumë!”.

Së bashku me fëmijën, përgatisni një poster me fjalët e bukura të mirësjelljes.

Nxiteni fëmijën t’i përdorë fjalët magjike si të domosdoshme gjatë komunikimit në jetën e përditshme.

Sipas dëshirës mund të lexohet edhe poezia “A e njihni, kjo është Flutura”, që përdor fjalët e bukura. Qel nga gjumi sytë e zezë, u thotë prindërve “Mirëmëngjes!”/ Shkon në kopsht me dëshirë, i thotë gjyshes “Ditën e mirë!”/ Kur e ndihmojnë ose e urojnë, thotë “Faleminderit!” Flutura jonë / Kur kthehet nga kopshti në shtëpi, “Mirëdita!” u thotë prindërve gjithnjë.

KËNGA –“Pse u çudite?” – Kur çdo ditë mësuesja flet, / fjalët magjike në gjuhën tonë të bukur flet. / Ti pse çuditesh këtë e di gjithkush nga ne, / fjalët magjike tani t’i themi menjëherë. / Kur diçka ngurrojmë, / ti shpejt falëndero, / kur bëjmë gabime, të falur ti kërko. / Kur flasim mirë e bukur, të gjithë na duan shumë, / si trëndafil i çelur, na rrjedhin fjalët në buzë. / Të lutem më fal / të falënderoj /.