Buqeta me lule
Zhvillimi i aktivitetit: Sot lejojeni fëmijën ta shpreh kreativitetin e tij duke krijuar buqeta me lule. Fillimisht dërgojeni fëmijën për një shëtitje në oborr apo park dhe mblidhni lule të ndryshme. Vendosni lulet tuaja në një shportë apo çantë. Kur të ktheheni në shtëpi, ofroni fëmijës disa vazo të vogla, kavanozë apo gota të mbushura përgjysmë me ujë. Vendosni lulet që keni mbledhur në një enë apo tavolinë dhe thuani fëmijës që me anë të tyre të formojë disa buqeta me lule, duke i organizuar ato dhe vendosur nëpër kavanoza apo në gota me ujë. Ju mund t’i ofroni një shembull për ta kuptuar fëmija procesin. Pastaj lejojeni atë të lirë që të organizojë dhe krijojë buqetat sipas dëshirës. Së bashku zgjidhni një vend ku do t’i vendosni lulet dhe mbani ato për një kohë, duke vrojtuar së bashku me fëmijën ndryshimin që pësojnë ditë pas dite.