Ariu Polar

Materialet dhe mjetet: letër, pambuk, ngjitës, gërshërë.
Zhvillimi i aktivitetit: Sot, pyeteni fëmijën tuaj për ariun: Si duket? Çfarë ngjyre ka gëzofi i tij? Sa është i madh? Tregojini  foto ose shikoni  në një prej librave figura me arinj. Më pas tregojini që sot do të krijoni së bashku një ari polar prej pambuku.Më pas vizatojeni një ari polar në letër, lyejeni me ngjitës ose jepni fëmijës ngjitësin që ta lyej letrën dhe vendosni në dispozicion pambuk që fëmija ta mbush trupin e ariut. Demonstrojani fëmijës se si mund ta ndajë pambukun në copa të vogla – gjë e cila mund të jetë argëtuese dhe njëherësh edhe i forcon muskujt e vegjël në duart e fëmijës. Bisedoni me fëmijën se si jeni duke e bërë gëzofin e ariut, dhe lejojeni fëmijën ta mbushë trupin e ariut me gëzofin prej pambuku. Tregoni se si gëzofi i ndihmon ariut të mbajë nxehtësinë e trupit në ujin e akullt dhe në vendet me shumë borë ku ai jeton. Preni rrathë të vegjël nga letra e zezë, apo ngjyrosni ato dhe ndihmoni fëmijës t’i vendosë në vendin e duhur për të krijuar sytë dhe hundën e ariut. Në fund, dekorojeni prapavijën me ngjyrë të bardhë për të simbolizuar akujt dhe borën në ambientin ku jeton ariu polar.