Flluska, topa & fije me ngjyra
Zhvillimi i aktivitetit: Sot i keni dy propozime për lojra dhe për të dyja lojrat ju rekomandojmë që t’i luani jashtë në natyrë [nëse nuk bie shi].
Loja 1: Dilni jashtë dhe ecni së bashku me fëmijën. Uluni në një ambient të gjelbër dhe fryni sa më shumë flluska me ngjyra dhe stimulojeni fëmijën që t’i kapë ato. Për flluskat me ngjyra ju mund të përgatisni vetë një enë me ujë dhe me detergjent për larje të enëve.
Loja 2: Në rrahësen e vezëve, fusni sa më shumë materiale të buta me ngjyra: topa të vegjël, fjongo me ngjyra, çorape që fëmija nuk i vesh më, copa sfungjeri, etj. Jepjani fëmijës dhe kënaquni duke e parë se si do të mundohet t’i nxjerrë prej aty. Mos e ndihmoni! Ndihma më e mirë është që t’i demonstroni se si bëhet. Ai/ajo do ta gjejë vetë zgjidhjen dhe do të kënaqet kur t’i nxjerrë materialet prej aty. Përgëzojeni gjatë dhe pas lojës.