Flluskat me mikser

Zhvillimi i aktivitetit: Secilit fëmijë të vogël i pëlqen të luajë me flluska! Këtë kënaqësi ofrojani edhe ju fëmijës tuaj sot. Fillimisht vendosni detergjent të enëve në një enë të thellë dhe pastaj shtoni ujë të ngrohtë duke mbushur enën deri në gjysmë. Nëse lojën e bëni brenda, shtroni një peshqir të madh nën enë që ta keni me të lehtë ta pastroni vendin dhe që fëmija të jetë tërësisht i lirë gjatë lojës së tij edhe nëse pika të ujit dhe flluskave dalin jashtë enës. Merrni një mikser dore dhe tregoni fëmijës që do ta përdorni atë për të bërë flluska. Nëse është e nevojshme ofroni pak ndihmë me përzierjen në fillim derisa uji fillon të bëjë flluska. Pastaj lëreni fëmijën ta shijojë lojën dhe ta zhvillojë atë sipas imagjinatës dhe interesimit të tij.