Furnizimi në shtëpi
Materialet dhe mjetet: Fletë, gërshërë, laps dhe, nëse keni, ngjyra
Zhvillimi i aktivitetit:Kjo lojë e bën fëmijën më të aftë për përgjegjësitë që do të marrë duke u rritur. Fëmijët i duan punët e të rriturve dhe ne duhet t’i lejojmë ata me këto punë, prandaj kjo lojë sot do të jetë shumë argëtuese dhe atraktive për ata. Na mjafton të kemi laps, letër dhe çfarëdo ngjyra që gjenden në shtëpi.
Sikur në foto, në letra shumë të vogla vizatoni 10 gjëra, vezët, qumështin, lëngun, akulloren, shamponin etj. E më pas, këto letra të vogla i radhisni para fëmijës, dhe bëni gati një listë shopingu sikur në foto, me 5 produkte të vizatuara të cilat fëmija do t’i marrë një nga një nga letrat e vogla dhe do t’i shtojë në listën e shopingut për t’i përfunduar ato.
Të njëjtën lojë mund ta bëni edhe me produktet e shtëpisë pa i vizatuar ato. Një shampon, një banane apo një pako oriz vendosni mbi tavolinë dhe në bazë të listës së shopingut fëmija i hedh në shportë gjërat që do të blejë sipas listës së vet.
Ideja kryesore e lojës është që fëmija të arrijë të udhëzohet nga lista e shopingut dhe të kuptojë që për shtëpi blihen vetëm gjërat e nevojshme.