Ndërto shtëpinë
Materialet dhe mjetet: Blloqe ndërtimi, letër dhe laps.
Zhvillimi i aktivitetit: Ngjitni një letër apo karton të madh në tavolinë dhe duke përdorur blloqet vizatoni formën e një shtëpie. Vizatoni në atë mënyrë që blloqet të përshtaten në vijat që keni bërë. Vendosni blloqet në anën e majtë të letrës, në mënyrë që fëmija t’i kapë blloqet nga e majta në të djathtë (të ushtrojë konceptin që do t’i nevojitet kur të fillojë të shkruajë).
Nxiteni fëmijën që t’i plotësojë hapësirat e vizatuara me blloqe. Bisedoni në fund se forma e kujt është ajo (e shtëpisë) dhe flisni se si në fshatra ka shumë shtëpi, ndërsa në qytete ka shumë banesa dhe shtëpi.
Nëse dëshironi të shtoni edhe konceptin e njohjes së ngjyrave, ju mund ta vizatoni shtëpinë me ngjyra sikurse ato që i keni blloqet, dhe ta udhëzoni fëmijën që t’i vendosë blloqet sipas ngjyrës. P.sh. blloqet e kuqe te vizatimi me ngjyrë të kuqe.
Nëse nuk keni blloqe, lojën mund ta zhvilloni me çfarëdo objekte të tjera që i keni në shtëpi. P.sh. mund të përdorni lugë të vogla. E vizatoni formën e shtëpisë duke e bërë gjurmën e lugës dhe pastaj fëmija i përdorë lugët për t’i plotësuar hapësirat dhe për ta formuar shtëpinë.