Gjeje thesin e humbur
Materialet dhe mjetet: thes i kuq i dhuratave apo ndonjë këllëf jastëku, lodra të ndryshme të buta dhe të lehta, shirit ngjitësi me ngjyrë.
Zhvillimi i aktivitetit: Loja “Gjeje thesin e humbur të babadimrit” është shumë e lehtë dhe interesante për fëmijën tuaj dhe do të kënaqeni duke luajtur së bashku. Maskojeni fëmijën si babadimër me çfarëdo që keni në shtëpi, në fund të fundit edhe ndonjë fustan i kuq do të kryente punë që t’ia vishni fëmijës, si dhe vendosjani një rrip të zi. Një kapelë festive e babadimrit do ta plotësonte dukjen e fëmijes. Nëse keni një thes të kuq të dhuratës së Vitit të Ri, kërkoni nga fëmija që ta mbushë me lodra, e nëse nuk e keni, atëherë mund t’ju shërbejë edhe një këllëf jastëku. Lodrat që do t’i fusë duhet të jenë të buta dhe të lehta, që fëmija të mund ta mbajë mbi supe. Në tapet apo parket ngjitni shirit ngjitësi me ngjyrë që të dallohet rruga të cilën do ta improvizoni në formë të labirintit. Mundohuni t’i bëni dy rrugë të mbyllura e një të hapur dhe kërkoni nga fëmija(babadimri) që të hyjë në labirint dhe të mundohet ta gjejë rrugën e hapur deri te thesi me dhurata. Pasi ta ketë gjetur, ta ngrejë mbi supe duke e imituar babadimrin dhe të kthehet në të njëjtën rrugë. Nëse fëmija e gjen me lehtësi rrugën, ndryshojeni dhe bëjeni pak më të vështirë.