Mbretërimi i stinëve
Materialet dhe mjetet: një kuti mesatare, gërshërë, ngjyra parafine (qiri), marker apo laps.
Zhvillimi i aktivitetit: Njoftojeni fëmijën tuaj që, gjatë vallëzimit të tokës rreth diellit, stinët e kanë kohën e tyre kur ulen në fronin mbretëror dhe mbretërojnë në tokë. Merreni një kuti, mundësisht të jetë më e madhe që ta preni një rreth më të madh dhe ndajeni në mes me një vijë e pastaj edhe me një tjetër vijë në katër pjesë të barabarta. Në njërën pjesë shkruani “Pranvera” dhe vizatoni një lule, në të dytën “Vera” dhe vizatoni diellin, në të tretën “Vjeshta” dhe vizatoni një gjethe dhe në të katërtën “Dimri” dhe vizatoni një fjollë. Fëmija do të dijë se cila stinë është në bazë të simboleve që i keni vizatuar, ndërsa kërkoni nga ai/ajo që t’i ngjyrosë stinët. Pjesën e pranverës ta ngjyrosë me ngjyrë të gjelbër, pjesën e verës me ngjyrë të verdhë, pjesën e vjeshtës me ngjyrë portokalli ose të kuqe dhe pjesën e dimrit me ngjyrë të kaltër. Pasi ta ketë ngjyrosur, kërkoni nga fëmija që ta rrotullojë duke e shikuar si ndryshojnë katër stinët gjatë vitit.