Printim me perime
Materialet dhe mjetet: ngjyra tempera, letër e bardhë, perime të ndryshme që i keni në shtëpi (spec, lulelakër, qepë, trangull etj.) dhe enë.
Zhvillimi i aktivitetit: Sot fëmija juaj do të argëtohet duke printuar me perime. Nëse keni ngjyra tempera, përgatisni dy ose tri ngjyra në enë të ndryshme dhe ia preni përgjysmë ndonjërën nga perimet që keni në shtëpi. Nëse nuk keni ngjyra, ofroni fëmijës salcë domatesh apo piper të kuq të përzier me ujë, piper të zi apo diçka që kur përzihet me ujë lëshon ngjyrë. Pastaj ofroni fëmijës letër të bardhë apo ndonjë kuti të këpucëve jashtë përdorimit, dhe pasi t’ia keni ndarë në gjysmë cilëndo nga perimet që keni, kërkoni nga fëmija që perimen ta shtypë në ngjyrë e pastaj mbi letër (apo kuti) dhe të kënaqet duke printuar formën e perimeve. Fëmija, nëse ka disponim, mund të bëjë printim edhe me ndonjë frutë si molla, dardha etj.
Gjatë kohës së printimit, nxiteni fëmijën për bisedë duke i bërë pyetje për perimet.