Kutia ime e aktiviteteve/lojrave

Materialet dhe mjetet:  Një kuti mesatare, ose disa kartona dhe një ngjitës

Organizimi i aktivitetit:

Meqenëse është 1 Shtatori, ditë që lidhet me fillimin  e vajtjes në kopsht apo në qendër të kujdesit ditor,  jepini kësaj dite karakter festiv duke krijuar kujtime të bukura të fëmijës për të.  Tregojini fëmijës që prej sot së bashku do të bëni aktivitete dhe lojra çdo ditë dhe  çdo gjë që fëmija do ta krijojë do ta ruajë në kutinë e lojrave të tij/saj. Ju mund të filloni duke i treguar për kopshtin, për edukatoren për fëmijët e tjerë dhe se sa shumë do të zhvillohet e sa gjëra të mira do t’i mësojë fëmija në kopsht. Lexojini ndonjë tregim ose tregojini për përvojën  tuaj në kopsht.

Pastaj, së bashku krijoni kutinë e aktiviteteve/lojrave. Nëse keni kuti të gatshme në shtëpi, atëherë lejojeni fëmijën të vizatojë në faqet e saj çfarëdo që ai/ajo dëshiron. Fëmija  mund të ngjisë edhe foto  të tij/saj në faqen e kutisë  apo edhe figura të tjera që lidhen me kopshtin, edukatoren etj. Nëse nuk keni kuti, mund ta krijoni së bashku me fëmijën. Ju mjaftojnë disa kartona të cilët i ngjisni së bashku.

Sugjerim:

Vendoseni kutinë në këndin e fëmijës dhe nxiteni që të vendosë/ruajë në të produktet e aktiviteteve apo lojrave të tij/saj.