Mësojmë madhësitë me spërkatësen e ujit
Të gjithë fëmijët e duan ujin dhe lojën me ujë. Kur përmes lojës mësojnë gjëra të reja, ato mbahen në mend më shpejtë dhe për një kohë më të gjatë. Në murin e oborrit apo të ballkonit i vendosim disa letra të bardha ku vizatojmë figura të ndryshme dhe me madhësi të ndryshme. Një trekëndësh të vogël dhe një trekëndësh të madh, një zemër të vogël dhe një zemër të madhe, yje, katrorë apo rrathë.
Spërkatësen e xhamave e mbushim me ujë të thjeshtë duke shtuar ngjyra temper nëse keni por nëse nuk keni mund të përdorni pak keqap e t’i jepni ngjyrë të kuqe.
Jepni udhëzimin fëmijës: ‘spërkate zemrën e madhe deri sa të laget e tëra’, ‘spërkate yllin e vogël derisa laget i tëri’. Ju garantojmë se fëmijët do të argëtohen por edhe do të mësojnë përmes kësaj loje.
Si opsion tjetër mund t’i përdorni edhe disa topa të lehtë apo gota plastike dhe letra për t’i rrëzuar me spërkatje pasi që ta keni formuar një strukturë si ndërtesë me to.