Shqisat e mia
Sot mjafton t’i vendosni mbi tavolinë ose dysheme disa prej objekteve që më së shumti i përdorni në familje: një qepë, një parfum, një limon, një lule, një biskotë ose çfarëdo ëmbëlsire, pak kripë, një objekt me sipërfaqe të fortë, të ashpër ose të lëmuar, një pecetë të njomë dhe një letër. Ju mund ta përdorni çfarëdo materiali tjetër që mendoni se është i përshtatshëm.
– Kërkoni nga fëmija që t’i prekë, t’i nuhasë, t’i shijojë, t’i përplasë, dhe t’i dëgjojë zhurmat që bëjnë objektet një nga një.
– Edhe pse disa mund t’ju duken të tharta, të kripura, të njoma, të forta, të ashpra, të zhurmshme, s’ka gjë. Lejojini t’i provojë të gjitha.
– Gjersa fëmija bën këtë, kërkojini që t’ju tregojë çfarë shije po ndjen, çfarë po prek, çfarë po dëgjon apo çfarë po shijon. Nxisni që të flasin qartë.
– Ju mund të vazhdoni t’i eksploroni shqisat duke vendosur një fashë në sytë e fëmijëve dhe pastaj ua ofroni një nga një të gjitha objektet. Kërkoni nga fëmijët që ta gjejnë për cilin objekt bëhet fjalë vetëm përmes prekjes, nuhatjes, shijimit apo të dëgjuarit.
– Ju mund edhe të përgatisni së bashku diçka të shijshme.
Prindër të dashur, për fëmijët që janë më të vegjël, krijoni një rreth sikur në foto dhe vendosni rreth e qark tij materiale të ndryshme të cilat fëmija mund t’i prekë dhe të luajë me to.