Unë në hartë

Materialet dhe mjetet: letra me ngjyra, fotografi (fotografi e fëmijës, shtëpisë, lagjes, qytetit, shtetit, kontinentit, botës), ngjyra, gërshërë, spango etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedohet me fëmijën se sa e njeh rrethinën e tij/saj ku jeton, duke e pyetur p.sh. Në cilën rrugë jeton? Në cilën lagje? Si quhet qyteti ku jeton? Si quhet shteti ku jeton? Pasi fëmija t’u përgjigjet pyetjeve të prindit apo kujdestarit, prindi apo kujdestari sheh se ku ka nevojë të ndihmohet dhe plotësohet fëmija. Më pas merren letrat me ngjyra të ndryshme (në mungesë të llojeve të ngjyrave mund të përdoret edhe vetëm një ngjyrë) dhe nga fëmija kërkohet të gjejë sende që kanë formë rrethore për t’i kopjuar rrathët. Sendet me formë rrethore duhet të jenë të madhësive të ndryshme. Merret sendi apo objekti me rrethin më të vogël dhe kopjohet në letër forma rrethore, duke vazhduar më pas edhe me sendet e tjera sipas madhësisë, nga më e vogla. Pasi të kopjohen rrathët, fëmija i pret me gërshërë dhe i rendit nga më i vogli. Në sipërfaqen rrethore më të vogël, fëmija vendos një fotografi të tij/saj apo vizaton portretin e tij/saj, në sipërfaqen rrethore të dytë vizatohet shtëpia apo merret ndonjë fotografi me shtëpi. Në rrethin e tretë vizatohet rruga dhe lagjja ku jeton fëmija apo merret ndonjë fotografi me lagje. Në rrethin e katërt vendoset harta e qytetit (prindi apo kujdestari e vizaton me vijë të lirë hartën e qytetit të fëmijës) dhe fëmija e pret dhe e vendos në sipërfaqen rrethore. Në sipërfaqen rrethore të pestë vizatohet harta e Kosovës nga prindi apo kujdestari dhe prehet nga fëmija apo merret ndonjë fotografi me hartën e Kosovës. Prindi apo kujdestari i shpon sipërfaqet rrethore duke i lidhur me spango.

Sipas dëshirë mund të luhet loja “Kush jam dhe ku jetoj”. Kjo lojë fillon duke bërë pyetje prindi apo kujdestari, p.sh.:

Ju lutem prezantohuni! – Dhe fëmija thotë emrin dhe mbiemrin.

Në cilën rrugë dhe lagje jetoni? – Fëmija tregon rrugën dhe lagjen e tij/saj.

Si quhet qyteti yt ku jeton? – Fëmija tregon emrin e qytetit të tij/saj.

Si quhet shteti yt? – Fëmija tregon se si quhet vendi/shteti ku jeton. Sipas dëshirës dhe interesimit të fëmijës, loja mund të luhet duke shtuar edhe kontinentin dhe botën.