Unë ndihem mirë…

Materialet dhe mjetet: Çorapë të ndryshme, penj të ndryshëm, pulla, ngjitës të nxehtë.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën duke e pyetur: kur ndihesh mirë? Çfarë mund të bësh për t’i ndihmuar të tjerët? Trego ndonjë rast kur ke ndihmuar. Si është ndier personi që e ke ndihmuar? Si je ndier kur e ke ndihmuar? etj.

Lexojeni dhe komentojeni fabulën “Luani dhe miu”.

Një mi i vogël po shëtiste në pyll. Pa një luan që po flinte dhe për t’i rënë udhës shkurt, kaloi mbi mbretin e kafshëve. Luani u zgjua, zgjati putrat dhe e mbërtheu miushin.

– Cila është fjala e fundit miush? – pyeti luani.

– Nëse më le të lirë, unë do të të ndihmoj një ditë.

Luani e pa i çuditur… E la të lirë edhe pse nuk besoi te fjalët e miut. Pak ditë më vonë, luani ra në një kurth. Arriti fjala gjer te miu i vogël. Miu nxitoi te luani dhe nisi të brente litarët e rrjetës që kishte mbështjellë mbretin e pyllit. Luani shpëtoi nuk e dinte si t’ia shprehte mirënjohjen miut që nuk e kishte çmuar.

Morali: Madhësia e shtatit nuk është gjithçka. Në jetë mund të të shpëtojë edhe një mi i vogël.

Merren çorapë të cilat nuk do të përdoren dhe punohen personazhet e fabulës “Luani dhe miu”. Në mungesë të ngjitësit të nxehtë mund, të qepen me penj. Mund të përdoren materiale të ndryshme në varësi të materialeve që janë në dispozicion apo edhe sipas dëshirës.

Pasi të punohen personazhet, fëmija dhe prindi apo kujdestari luajnë rolet e fabulës “Luani dhe miu”.

 

Mund të punohen edhe personazhe të tjera e të luhen role sipas dëshirës së fëmijës.