Treni i shkronjave

Materialet dhe mjetet: kapak shisheje plastike, letra, marker, ngjitës, gërshërë etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se sa shkronja ka emri i tij/saj duke e germëzuar dhe duke numëruar me gishtërinjë. Provoni të gjeni edhe numrin e tingujve të dy-tre familjarëve të tjerë. Nga një kapak shisheje kopjohen forma rrethore në të cilat më pas do të shkruhen shkronjat (nga prindi ose kujdestari), të cilat më pas priten dhe ngjiten në kapak (nga fëmija). Prindi apo kujdestari ligjor shënon shkronjat e emrit të fëmijës dhe të dy-tre anëtarëve të tjerë të familjes për të parë më mirë se sa shkronja të njejta nevojiten. Për shembull, nëse kërkohet emri Albana, atëherë paraprakisht përgatiten tri shkronja të njejta “A”. Kapakët me shkronja renditen në varg dhe në momentin kur provohet të formohet emri i fëmijës fillohet nga e para duke thënë p.sh. “A-aaaa”… merret shkronja A dhe vendoset e para. Vazhdohet me të dytën duke thënë “L-lllll… derisa të gjendet, dhe këstu vazhdohet edhe me shkronjat e tjera derisa të formohet emri, p.sh. “Albana”. Kështu provohet të formohen edhe dy-tre  emra të familjarëve të tjerë dhe në fund të shikohet se cili emër është më i gjatë dhe për sa shkronja është më i gjatë apo më i shkurtër se emrat e tjerë. Në fund renditen sipas numrit më të vogël të shkronjave dhe thuhet ky tren është më i shkurtër se treni i emrit “ Albana”, si shembull.

Sipas dëshirës mund të provohet edhe me më shumë emra të  anëtarëve të familjes.