Rruga e imagjinuar

Materialet dhe mjetet: letër A4, laps, ngjyra

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedohet me fëmijën se çfarë rrugë bëjnë gjallesat e ndryshme, p.sh. duke e pyetur: si fluturon zogu? Dhe fëmija imiton lëvizjet e zogut me dorë duke bërë sikur po fluturon. – Po peshku në ujë si noton, duke përshkuar rrugë të drejtë apo të lakuar? etj. Fëmija imagjinon sikur është bletë dhe po fluturon nëpër lule, por gjatë fluturimit pëlqen të bëjë disa rrotullime. Pyetet fëmija se a mund ta vizatojë rrugën gjatë fluturimit nëpër lule.

Merret letra e bardhë dhe vizatohet rruga me vija të lakuara (shkarravina). Me laps, fëmija tërheq vija të lira të lakuara në vizatimin e tij/saj në bazë të asaj që ka imagjinuar. Pas tërheqjes së vijave kërkohet nga fëmija të vizatojë figura të ndryshme mbi bazën e vijave të vizatuara.

Pas vizatimit pyetet fëmija se çfarë ka vizatuar.