Mjetet e nevojshme: Kulluese e çajit, miell, ngjitës letre.

Aktiviteti: Të gjithë fëmijët e duan borën sepse luajnë me të, bëjnë dordolecë ose topa bore. E si t’ia bëjmë me fëmijët kur bora nuk ka ardhur ende. Merrni një pjatë të gjerë ose tepsi e cila mund të ketë hapësirë më të madhe për përdorim.
Krijoni së bashku me fëmijën, me anë të letrës me ngjitës një formë në tepsi, një shkronjë ose çfarëdo që ju bie ndërmend. Pastaj miellin do ta vendosim në kulluese, fëmija do ta mbajë me duart e tij kulluesen dhe do të mësohet ta tund atë me një ritëm mesatar mbi formën të cilën e ka bërë me ngjitës letre. Gjatë kohës kur e tundë, fëmija do të shikoj se si do të bie mielli poshtë sikurse bora. Pasi të mbulohet me një sasi të konsiderueshme, hiqni letrën me ngjitës në tepsi. Fëmija do ta vërej që është krijuar në mënyrë shumë të bukur forma të cilën e ka dashur.