Planeti Tokë në medaljonin tim

Materialet dhe mjetet: 1 filxhan miell, gjysmë filxhani kripë, gjysmë filxhani ujë, forma rrethi (forma për ëmbëlsira), ngjyra temper (të kaltër dhe të verdhë), brushë, fjongo saten (penj të ndryshëm), rruaza etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Në një enë përzihet mielli dhe kripa dhe më pas shtohet uji duke e derdhur ngadalë me një lugë gjelle që do të lejojë të ketë kontroll më të madh për sasinë e ujit që shtohet. Sipas nevojës mund të shtohet ujë derisa brumi të mund të formohet si një top që nuk ngjitet. Pasi të formohet, topi nga brumi hapet duke hedhur sipër miell. Me formën e përzgjedhur pritet brumi dhe me një laps mund të shpohet një vrimë për varje. Brumi mund të lihet të thahet në një vend të nxehtë për një kohë të gjatë (apo për një kohë më të shkurtër, prindi apo kujdestari mund ta thajë në furrë të nxehtë). Pas tharjes/pjekjes së brumit, ngjyroset medaljoni me ngjyrat e planetit Tokë dhe me ndonjë figurë të pëlqyer nga fëmija. Pas tharjes së ngjyrës lidhet fjongo (apo ndonjë pe) dhe sipas dëshirës mund të dekorohet me rruaza.