Një ditë në piknik
Materialet dhe mjetet: fletë e bardhë A4, laps, ngjyra, fotografi të ndryshme etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Nxiteni fëmijën të përshkruajë ndonjë hapësirë në park apo në lagje e cila nuk mirëmbahet. Pyeteni: Çfarë dëme sjellin për shëndetin tonë? Çfarë duhet të bëjmë që vendet me mbeturina të jenë të pastra? etj.
Bashkëbisedoni dhe komentoni fotografitë e dhëna në aktivitet. Pyeteni: Çfarë po shohim në foton e parë? Çfarë ndodhë me ujin dhe peshqit kur hedhim mbeturina në lumë? Po në foton e dytë? Çfarë rrezikojmë nëse hedhim mbeturina në natyrë apo ndezim zjarre?
Lexojani fëmijës poezinë “Pa hidhërim” dhe më pas komentojeni së bashku.
Pa hidhërim / Nëse ti rrugës blen akullore / dhe n’tokë mbështjellësin e hedh prej dore. / kudo të jem, kudo të jesh / mos u hidhëro, nëse të them / Stop! Hidhe letrën aty ku duhet / vetëm kështu qyteti ruhet. / Po ta bëj nesër të njëjtin gabim. / Më qorto të lutem, s’ka hidhërim.
Merret një fletë e bardhë A4 dhe ndahet në gjysmë. Në njërën pjesë fëmija vizaton tokën e lumtur dhe në pjesën tjetër tokën e mërzitur. Sipas gjendjes emocionale, fëmija vendos fotografi (të gjetura nëpër gazeta apo revista të ndryshme) apo i vizaton dhe përshkruan arsyet për gjendjen e emocionale të tokës.
Shkarkoni fletën e punës KËTU.