Mos u nxeh

Materialet dhe mjetet: Një karton i madhësisë 50 cm x 50 cm, marker apo laps dhe një zar.

Zhvillimi i aktivitetit: Fillimisht mund të përgatisni zarin. Për këtë ju nevojitet krijimi i një kubi me karton të cilit i vendosni me marker numrat në secilën faqe të kubit. Lejojeni fëmijën që t’i shkruajë vetë numrat, duke ndjekur pikat që ju i vendosni paraprakisht. Mbasi të keni përgatitur kubin, filloni që së bashku me fëmijën të krijoni fushën e lojës në karton. Kujdesuni që të vendosni disa ndalesa në objekte që ju mendoni se janë të rëndësishme për historinë e Kosovës. Kur ju apo fëmija duhet të ndaloni, diskutoni me fëmijën rreth ngjarjeve (p.sh. mund të vendosni datën e çlirimit të Kosovës, datën e pavarësisë etj.).

Pas përfundimit të lojës mund të nxitni fëmijën duke ndjekur ndonjë film apo duke lexuar ndonjë ngjarje që lidhet me historinë tonë. Fëmijëve ju pëlqejnë tregimet mbi historitë që lidhen me heronjtë tanë. Në fund, këtë lojë e vendosni në këndin e ekspozitës tuaj.