Më pëlqen të bëhem…

Materialet dhe mjetet: Një këmishë e bardhë (apo mantel mjeku), stetoskop, termometër, shishe të ndryshme për shurup, letër e bardhë A4, marker apo ngjyrë e kuqe, gërshërë etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Prindi apo kujdestari luan një lojë fjalësh në formë gjëegjëzash. Njoftohet fëmija se, pas përshkrimit që i bën prindi apo kujdestari, fëmija do të japë përgjigjen e tij/saj. P.sh. “Mantelbardhë na ndihmon, kur jemi të sëmurë na shëron” (mjeku). “Macja lart në pemë ka mbet, mjau-mjau po bërtet, kënd ta thërrasim ta ndihmojë, macen e vogël ta shpëtojë?” (zjarrfikësit). “Dua libra të lexoj por shkronjat kush m’i mëson?” (mësuesi). “Shkoj në furrë të blej bukë, të bardhë e të butë, a s’më thua kush e gatuan?” (bukëpjekësi). “Një shtëpi të bukur dua ta ndërtoj, kënd ta thërras që t’ma projektojë?” (arkitekti) etj. Mund të përdoren edhe përshkrime të tjera nga prindi apo kujdestari duke njohur edhe dëshirën e fëmijës për profesionet që i pëlqejnë.

Së bashku me fëmijën shihni fotografi të ndryshme të profesioneve dhe nxiteni të tregojë se çfarë dëshiron të bëhet kur të rritet dhe pse. Vizatojeni profesionin e pëlqyer apo edhe improvizoni diçka nga profesioni që ka zgjedhur fëmija.

P.sh.: “Unë jam mjek/-e”

Merret një këmishë e bardhë e cila paloset te mëngët e krahut për t’ju përshtatur trupit të fëmijës. Merret edhe një stetoskop i cili mund të përgatitet nga një rreth i flokëve duke i vendosur një shirit dhe në fund një zemër letre.

Prindi apo kujdestari luan rolin e pacientit dhe fëmija rolin e mjekut.

Pacienti: Mirëdita!

Mjeku: Mirëdita, urdhëroni!

Pacienti: Jam ftohur dhe nuk po ngopem frymë.

Mjeku: Atëherë të dëgjojmë të rrahurat e zemrës (dhe bën sikur po dëgjon). Jeni ftohur, keni nevojë të pushoni dhe pini çajra bimore. Po jua përshkruaj disa vitamina dhe çajra.

Pacienti: Faleminderit shumë, sa mirë që ju kemi! Mirupafshim! (loja luhet sipas dëshirës, kjo ishte vetëm si ide).

Edhe për profesione të tjera përgatiten mjetet e punës sipas materialeve në dispozicion dhe sipas dëshirës së fëmijës.