Tinguj festivë

Zhvillimi i aktivitetit: Fëmija juaj mund të bëjë shumë gjëra vetë, mjafton që ta mbështesni në idetë që ka dhe ta lejoni të eksperimentojë e krijojë gjëra të reja. Sot, ai/ajo do të krijojë tinguj festivë nga vegla muzikore që do t’i bëjë vetë në shtëpi, me mbikëqyrjen tuaj.

Materialet: disa tuba bosh, llastik, letër ose pecetë, çfarëdo që kur futet në tub bën zhurmë: pulla, pak oriz, kapakë shishesh etj. Ju duhen edhe 5-6 pipëza dhe dy copë kartoni [letër e trashë].

Lejojeni fëmijën të mbështjellë me letër tubat dhe të vendosë në ta objektet e vogla. Më pas, me llastik, fëmija sigurohet që e ka mbyllur tubin nga të dy anët. Le ta bëjë këtë me disa tuba me objekte të ndryshme. Le të provojë t’i tundë dhe do të dëgjojë tinguj të ndryshëm. Pyeteni pse tingujt janë të ndryshëm.

Fëmija mund t’i ngjisë disa pipëza të cilat më parë i ka prerë vetë në gjatësi të ndryshme. Pasi t’i ngjisë me ngjitës, pipëzat mund t’i fryjë e sërish do të dëgjojë tinguj të ndryshëm. Luani me veglat muzikore  së bashku, e më pas i kërkoni që t’i vendosë në një vend të caktuar për lojërat  në ditët e tjera.