Luajmë dhe kërcejmë

Sot do të luajmë, të vrapojmë e të kërcejmë sepse fëmijët e duan shumë lëvizjen dhe muzikën.  Kjo i mban ata aktiv, i lodh por edhe i kënaq.

Ja disa ide:

  1. Luani ‘të gjeta ose fshehtas’ duke u fshehur nëpër ambiente të ndryshme të shtëpisë.
  2. Për fëmijët më të vegjël, ngriteni dhe uleni një çarçaf mbi të, gjersa rrotulloheni rreth e qark fëmijës, ose mbuloni fytyrën tuaj me një libër, një jastëk, me duar, etj.
  3. Vendoseni në skaj të dhomës lodrën ose objektin e preferuar të fëmijës dhe krijoni një ‘rrugë’ me pengesa për fëmijën deri sa të arrijë ta marrë lodrën ose objektin, dhe gjatë kësaj kohe inkurajoni  atë me fjalët “të lumtë”, “edhe pak”, “kujdes këmbën”, “o sa mirë e ke kaluar”, etj.
  4. Vendosini jastëkët në dysheme afër divanit dhe lejoni fëmijët që të rrotullohen nga divani në dysheme.
  5. Luani duke gjetur pjesët e trupit – ju thoni koka, fëmijët duhet ta prekin kokën e kështu me radhë.
  6. Krijoni  forma të ndryshme në dysheme si për shembull rrathë ose katrorë duke  vendosur një batanije, një letër ose karton,  ose bëjeni formën me ngjitës  dhe kërkoni nga fëmija që të ecë ose të kërcejë  si lepurush vetëm nëpër këto forma.
  7. Ju mund ta bëni edhe garën se kush kërcen më bukur me muzikë ose kush imiton më bukur. Dikush bëhet juria dhe të tjerët kërcejnë sipas ritmit të një muzike ose imitojnë. Ai/ajo që fiton i përqafon të gjithë anëtarët e tjerë të familjes.

Lojra të tilla plotësojnë nevojën e fëmijës për lëvizje, zhvillojnë koordinimin e pjesëve të trupit, zhvillojnë ekuilibrin, ritmin, aftësitë muzikore.