Lodrat nën borë

Materialet dhe mjetet: enë e sheshtë, borë ose miell/kripë/sheqer, lodra të fëmijës.
Zhvillimi i aktivitetit: Do të ishte shumë mirë nëse jashtë ka borë dhe ju bashkë me fëmijën ta mblidhni në një enë duke e lejuar fëmijën që ta prekë, ta shijojë pak borën e ta mbledhë. Por ju mund ta zëvendësoni borën sot me çdo material që e keni në shtëpi e që ngjan me borën.
Vendoseni borën ose miellin në një enë dhe në të hidhni disa lodra të fëmijës. Disa prej lodrave mbulojini me borë ose me miell dhe nxiteni fëmijën që t’i gjejë e të luajë, ti fshehë përsëri e t’i gjejë përsëri. Përgëzojeni sa herë që i gjen lodrat. Mos u shqetësoni pse zhytet me borë ose me miell. Pas lojës, fëmija mund të bëjë sikur po i pastron lodrat, ndërsa ju pastrojeni enën me borë ose miell. Kënaquni së bashku.