Materialet e nevojshme: Laps, fletë/fletore

Aktiviteti:  Vazhdimësia e stimulimit në aspektin gjuhësor me fëmijët tuaj mund të bëhet edhe përmes lidhëzave. Shkruani në një fletë disa lidhëza të ndryshme vendore, kohore, shkakore apo qëllimore. E rëndësishme është t’ua shpjegoni fëmijëve se si do të zhvillohet aktiviteti. P.sh., lidhëzat: ku, nga, sa, pasi, sepse, edhe, me qëllim që, etj. Caktoni një nga lidhëzat dhe vendoseni në fjalinë tuaj (Unë do të shkoj në parkun e lojërave “sepse” më pëlqen të luaj). Ky është shembulli që mund ta ndihmojë fëmijën ta kuptojë se si shkon krijimi i fjalisë. Pastaj caktoni fëmijës një lidhëz, dhe kërkoni nga ai/ajo të krijojnë një fjali përmes lidhëzës së dhënë. Dëgjojeni me vëmendje, shihni se në cilën pjesë të fjalisë po vendos lidhëzën.