Ky është trupi im
Materialet dhe mjetet: letër e madhe (flipchart, letër për pjekje, karton etj.), marker, ngjyra.
Zhvillimi i aktivitetit: Vendoseni letrën në dysheme dhe kërkojini fëmijës të shtrihet mbi letër për ta skicuar trupin e tij/saj. Me anë të markerit vizatoni skicën e trupit të fëmijës në letër. Fëmija mëson vetëkontrollin (të qëndrojë i shtrirë) gjatë kohës së skicimit.
Pasi të përfundoni skicimin, bisedoni me fëmijën për pjesët e trupit. Kërkoni nga ai/ajo të identifikojë duart, këmbët, kokën, stomakun dhe zgjeroni fjalorin e fëmijës duke emërtuar sa më shumë pjesë të trupit dhe vendin ku ndodhen ato. Jepini ngjyra ose marker fëmijës dhe kërkoni nga ai/ajo të vizatojë në mënyrën e vet pjesët e trupit duke e pyetur se ku duhet të vizatohen sytë, hunda, goja, pa i imponuar asgjë. Nëse ai/ajo dëshiron vetëm të ngjyrosë/shkarravisë mbi letër lejojeni ta bëjë këtë dhe të kënaqet.
Nëse fëmija juaj nuk dëshiron të qëndrojë i shtrirë, mos e detyroni. Filloni të skiconi vetëm dorën, këmbën ose çdo pjesë të trupit që fëmija e zgjedhë.