Rezultati i pritur: Fëmija jep ide se si mund të jetë një shokë/shoqe i/e mirë.

Materialet dhe mjetet: fleta të bardha, lapsa, ngjyra.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se si duket shoku/shoqja e tyre? Çka të pëlqen te shoku yt/shoqja jote? Si mund të bësh shumë miq?

Lepuri që kërkonte miq

Një ditë Lepuri i ankohej nënës së tij “Pse dita është kaq e gjatë?, pse jam kaq i mërzitur? nuk kam me kë të luaj e të flas. Mami e përqafoi dhe i tha: “eja të mendojmë e të gjejmë zgjidhje”. ”Do të jem i lumtur pastaj?-pyeti me lot në sy lepurushi.”…Nëna po mendohej, e lepurit nuk i pritej që nëna të jepte ndonjë zgjidhje. Nëna me zë të ëmbël i tha: Lumturia është rreth teje. Po si, ku? – pyeste lepuri i habitur? Pa shih atë milingonën në gjethe, shih fluturën në lule, shih zogun, rosat që lahen në lumë. Pse nuk shkon t’i takosh?–e pyeti nëna. Po si, a do më pranojnë?! Po si jo, ti je shumë i këndshëm, edhe ato do të gëzoheshin nëse do të shoqëroheshe me to. Lepuri u nis dhe çdo gjallesë i dukej interesante, mënyra e tyre se si jetonin, si lëviznin, si ushqeheshin. Rrugës u ndal te një pellg ku po laheshin rosat e vogla. Sa të bukura ishin, sa lehtë lëviznin nëpër ujë. Sapo iu afrua edhe më shumë pellgut pa një zog rose që kishte ngecur në barishte dhe nuk mund të zhytej në ujë. Me vrap iu afrua dhe i tha: “Mos  ke frikë nga unë. Dua të të ndihmoj”.  Rosa e vogël dridhej se kishte frikë pasi nuk e njihte lepurin, por zëri i qetë i lepurit e qetësoi.  Lepuri ishte shumë i kujdesshëm dhe ngadalë ia largoi barishten dhe i tha – “tani mund të shkosh te mami yt”.

”Faleminderit shumë që më ndihmove, qenke shumë zemërmirë. Mirupafshim”-tha dhe iku. Lepuri u lumturua që pati mundësi ta ndihmonte rosën e vogël. Mezi priste të kthehej te mami e t’ia thoshte sa i lumtur ishte për fjalën e mirë që ia tha rosa e vogël. 

-Komentojeni së bashku me fëmijën se pse ishte i mërzitur lepuri? Ku e gjeti lumturinë? Cila fjalë e gëzoi shumë? etj.

Po ti si mendon kur mund të jesh shok i mirë/shoqe e mirë? Cilat sjellje duhet t’i kesh ndaj shokëve dhe shoqeve?

Merret një letër e bardhë A4, vizaton veten me njërën nga idetë që jep fëmija se si mund të jetë shok i mirë/shoqe e mirë.

Si shembull mund të përdoren: mund të bëhem shok i mirë/shoqe e mirë: Kur ndihmoj, kur flas fjalë të mira, kur pres radhën, kur ndaj lodrat, kur marr leje për të luajtur me dikë, kujdesem për shokun/shoqen, flas me zë të ulët etj.