Klasifikimi i zogjve
Vizatoni disa zogj të madhësive të ndryshme, ngjyrosni dhe ngjitni në karton (për t’i bërë më të qëndrueshëm).
Ose gjeni fotografi të zogjve të ndryshëm p.sh. dallëndyshja, bilbili, pëllumbi.
Ose nëse keni në shtëpi librin me përralla me zogj.
Zogjtë e vizatuar apo fotografitë mund t’i përdorni për t’i mësuar fëmijës klasifikimin sipas ngjyrës, madhësisë, llojit.
-Për lojën e klasifikimit, kërkoni fëmijës të vendosë zogjtë me ngjyrë të njëjtë së bashku. Pastaj, zogjtë me madhësi të njëjtë së bashku apo edhe zogjtë e llojit të caktuar së bashku. Pra, kërkoni fëmijës të bashkojë dy të njëjta dhe inkurajoni të thotë cilësinë p.sh dy zogj të mëdhenj, ose dy zogj të kuq. Në këtë mënyrë fëmija do të përforcojë konceptin “njësoj” ose “ndryshe”, të përforcojë ngjyrat, madhësitë etj.
-Për lojën enigmë ndiqni hapat në vazhdim:
- Prisni fotografinë apo vizatimin e zogut në disa pjesë. Mund të ndani zogun në pjesë të veçanta p.sh. Sqepi, krahët apo trupi, dhe këmbët.
- Kërkoni fëmijës të bashkojë pjesët për të formuar zogun. Kështu, fëmija do të mësojë pjesët e trupit të zogut dhe t’i emërtojë ato.