Kemi pesë, shtojmë tre
Materialet dhe mjetet: kuti kartoni apo plastike, dy tasa plastikë apo të letrës, topa të vegjël, letra me ngjyra, gërshërë, ngjitës etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën duke e pyetur: ti dhe shoku apo shoqja jote (jepeni një emër të një shoku apo shoqe të fëmijës që e njihni), nëse jeni bashkë, sa veta bëheni (dy veta)? Po nëse vjen edhe një shok/shoqe, sa veta bëheni (tre veta)?
Merret një kuti kartoni apo plastike me kapak. Kapaku mbulohet me letër. Dy tasave të letrës apo plastikës u hiqet pjesa e poshtme dhe ngjiten në kapakun e kutisë. Në mes tyre vendoset shenja e plusit sipas dëshirës, mund edhe të mos vendoset. Merren tetë topa plastikë (mund të merren edhe lodra të imëta që mund të kalojnë nëpër tasa, por edhe nga letra mund të formohen topa të vegjël). Prindi apo kujdestari e fillon lojën. “Unë jap tri, sa jep ti?”, dhe topat i hedh në tasin e tij dhe vazhdon fëmija e tregon një numër, p.sh. “dy”. Pasi të hedhen topat, në kuti numërohen sa topa janë. Loja vazhdon aq sa dëshiron fëmija (mbledhje deri tek numri tetë).