Ndihmo memorien

Materialet dhe mjetet: Dy fletë të bardha dhe një marker apo laps. 

Zhvillimi i aktivitetit: Fëmija duhet t’i marrë dy fletët e bardha. Njëra, me ndihmën tuaj, ndahet në dymbëdhjetë katrorë të vegjël dhe në secilin katror me marker shënjoni një pikë në pozicione të ndryshme të fletës. Ndërkohë fletën e dytë e ndani në 12 fletë të vogla dhe shënjoni pikat po ashtu si në fletën e parë. Ia jepni fëmijës t’i presë me gërshërë fletët e vogla dhe t’i përziej. Pastaj fëmija, duke u udhëhequr nga fleta e parë, i vendos katrorët e vegjël sipas rendit që kërkohet. Kur mbaron rendi i parë, prindi mund të inkurajojë fëmijën që në të njëjtën mënyrë në katrorët e vegjël të bëjë numra me pika dhe mbrapa katrorit të vizatojë numrin. Nëse fëmija ka ndonjë numër që nuk mundet ta bëjë, prindi e ndihmon. Pastaj përsëri i rreshton sipas fletës së parë e cila është përgatitur me numra. 

Në fund të aktivitetit, fëmija duhet të inkurajohet të tregojë se a e pati të vështirë t’i vendoste në rend dhe prindi me kujdes duhet të hapë diskutimin duke i thënë: ashtu siç bashkuam format e ndryshme, edhe njerëzit janë të ndryshëm, dhe kur bëhen bashkë në grup, secili është i veçantë.