Katër stinët

Materialet dhe mjetet: doreza, çorape, letër me ngjyra, pambuk, gërshërë, shirit ngjitës etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Përgatiten skena apo pjesa ku do të luhet loja nga prindi apo kujdestari/-ja ligjor/-e dhe fëmija duke marrë katër doreza apo çorapë. Më mirë do të ishte të merreshin doreza me gishta të ndarë por në mungesë të dorezave mund të merren çorapë. Dorezat do të jenë drunjtë nëpër stinë. Në njërën dorezë vendosen topa pambuku që simbolizojnë borën. Në tjetrën dorezë vendosen lule të bardha. Në njërën dorezë vendosen fruta të qershive dhe në tjetrën dorezë vendosen gjethet me ngjyrë të verdhë, ngjyrë portokalli dhe ngjyrë kafe.

Pas përgatitjes së drunjve luhet loja “Më pëlqen stina e…..”, pyetet fëmija: “Cilat stinë të pëlqejnë më shumë? Zgjidh vetëm dy stinë nga katër”. P.sh., nëse fëmija zgjedh stinën e pranverës, ai/ajo duhet ta përshkruajë me sa më shumë fjalë, p.sh. qelin lulet, pemët lulëzojnë, gjethet kanë ngjyrë të gjelbër, vjen dallëndyshja dhe lejleku, nxeh dielli, bie shi etj. Pastaj vazhdon prindi apo kujdestari/-ja ligjor/-e me stinën e përzgjedhur. Kështu përshkruhen edhe stinët e tjera nga prindi dhe fëmija.

Sipas dëshirës dhe materialeve në dispozicion mund të punohet njëri nga modelet e paraqitura në shembujt e dhënë.

Nxiteni fëmijën të përshkruaj me më shumë fjalë karakteristikat e stinëve dhe t’i modelojë ato me materiale sipas dëshirës së tij/saj.