Improvizojmë lumin

Nëse qyteti ku jetoni ka lumë, sot bashkë me fëmijën shkoni për ta vizituar. Rrugës bisedoni për lumin dhe tregojini fëmijës për të mirat që qyteti ka nga lumi dhe se si ne duhet të kujdesemi për lumin. Afër lumit fëmija mund të vëzhgojë me kujdes rrjedhën e lumit, çfarë ka brenda shtratit të lumit dhe të luajë afër tij.

Por ju mund edhe të improvizoni një lumë së bashku me fëmijën, dhe këtë mund ta bëni në shtëpi ose jashtë në oborr. Ne ju rekomandojmë ta zhvilloni jashtë në oborr ose në park.

Do t’ju duhen letër alumini, ose letra të bardha, ose qese plastike të tejdukshme. Në lumin prej letre alumini dhe qese plastike, fëmija mund të vendosë objekte të ndryshme në të, ndërsa në lumin prej letre ose mielli fëmija mund të ecë nëpër të zbathur. Fëmija mund të improvizojë lumin edhe në park ose në fshat me ndihmën tuaj, sikur në foto.

Pasi t’i keni treguar fëmijës disa foto të lumenjve, jepjani materialet e mësipërme dhe lejojeni të udhëheqë ndërtimin e lumit të improvizuar.  Sa më të çrregullt që ta bëjë formën e lumit aq më bukur do të duket lumi. Ndihmojeni fëmijën kur ju kërkon ndihmë dhe udhëzojeni herë pas here vetëm kur e shihni që është afër zgjidhjes që po kërkon. Më pas lejojeni të hedhë ujë nëpër lumin e improvizuar, të luajë me ujin dhe me lumin. Nëse vendosni që të bëni një lumë prej mielli, jepjani fëmijës  qesen me miell dhe ai/ajo e krijon lumin vetë. Më pas le të ecë zbathur nëpër lumin me miell, ose le të vendosë në të çfarëdo që dëshiron.