Kartolina e pranverës
Materialet dhe mjetet: Letra, ngjyra, gërshërë dhe ngjitës.
Zhvillimi i aktivitetit: Pranvera po vjen dhe gjithë fëmijët gëzohen për festën e pranverës. Pranvera do të thotë të luajnë më shumë jashtë, të shëtisin më shumë dhe të vishen hollë, ashtu siç kanë dëshirë fëmijët. Andaj, t’ia bëjmë pranverës një kartolinë me fëmijët që t’i themi se ne e duam shumë stinën dhe e presim me padurim.
Kjo kartolinë është shumë e thjeshtë për fëmijën tuaj, edhe nëse nuk keni fleta të bardha ju mjafton të keni fletë të fletores apo edhe çfarëdo kutie që të keni në shtëpi. Duke pasur parasysh që fëmija juaj nuk mund të shkruajë dhe të lexojë, shkruani ju shkurt atë që dëshiron fëmija juaj të shkruajë në kartolinë.
Drejtohuni me pyetje: Zemër, çka do t’i shkruash pranverës? Do që të vijë më shpejtë apo më ngadalë, do që të sjellë shumë lule në oborr apo shumë pemë? Bisedoni për të mirat e pranverës dhe kërkesat që ka pranvera, duke punuar kartolinën si në foto.
Këtë kartolinë ngjiteni në xham duke i thënë fëmijës që dielli do ta shohë kartolinën dhe do të shpejtojë të na nxehë më shpejt dhe të na sjellë stinën më shpejtë.