Materialet që ju nevojiten: Copa letra, ngjitës, gjethe të thata, shishe plastike, bohçe pishash apo çdo gjë që ju ndodhet në shtëpi apo oborrin e shtëpisë. 

Zhvillimi i aktivitetit: Sot aktiviteti ka për qëllim aktivizimin e fëmijëve në punët e shtëpisë dhe kujdesin ndaj pastërtisë, e po ashtu kërkojmë nga fëmijët të jenë të vëmendshëm. E bëjmë një katror në pllakat e kuzhinës me anë të një ngjitësi sikur në foto, duke i dhënë detyrë fëmijës që ta mbledhë me fshesë çdo mbeturinë në katrorin e vizatuar. Jepini një fshesë dore dhe shpërndani mirë e mirë copëza të vogla të fletave nëpër hapësirë dhe jepni detyrë që secila pjesë e letrës të mblidhet me ndihmën e fshesës te katrori. Kur fëmija ka një cak e mëson më lehtë një sjellje të re. Është shumë e vështirë t’i themi fëmijës të mësojë ta kryejë një punë të re pa i vendosur një cak apo pa i dhënë një udhëzim më atraktiv. Andaj, kjo lojë ka këtë qëllim: edukimin dhe argëtimin në të njëjtën kohë.