E ushqejmë lepurushin

Me një karton ose me një fletë, sot përgatisni një lepurush sikurse në foto. Kujdesuni që hapësira e gojës së lepurit të jetë relativisht e madhe, e përshtatshme dhe në përputhje me aftësitë e fëmijës për t’i hedhur frutat në të.

Vendosni një shportë në mes të dhomës, aty ku do të luani, dhe ju e thoni emrin e një fruti kurse fëmija e sjell atë dhe e vendos në shportë. Vazhdoni kështu deri sa fëmija t’i sjellë të gjitha frutat që janë në shtëpi. Ndërkohë që e sjell frutin, fëmija e përsërit emrin e frutit dhe ngjyrën e tij.

Pastaj, fëmija e ‘ushqen’ lepurushin me frutat një nga një, duke i hedhur në ‘gojën’ e tij.

Pasi t’i ketë hedhur frutat lodër në ‘gojën’ e lepurushit, largojeni pak më shumë figurën e lepurushit dhe fëmija le të provojë sërish.

Vazhdojeni lojën duke i kërkuar fëmijës që t’ju tregojë cili është fruti i tij/i saj i preferuar; çfarë ngjyre ka; a është i fortë apo i butë, etj. Nëse e keni në shtëpi atë frut, lejojeni fëmijën që ta pastrojë vetë atë dhe pastaj ta hajë.