Dita e piknikut

Sot shkoni ose pretendoni se jeni në piknik me fëmijën tuaj. Nëse keni mundësi piknikun realizojeni në oborr, ndërsa nëse jetoni në banesë apo koha nuk është e mirë,  improvizoni një vend në ballkon apo në hapësirat e brendshme. Së bashku me fëmijën përgatisni ushqimin për piknik p.sh. senduiç të dekoruar në formë ariu apo palaço,  fruta etj.

– Flisni me fëmijën që sot do të bëni një piknik së bashku. Bisedoni se cilat gjëra do të merrni me vete. Merrni një shportë dhe mbusheni së bashku me fëmijën me materialet që ju nevojiten për piknik, si pjata, gota dhe enë të tjera pikniku, apo lodra. Fëmija mund të bartë gjërat te vendi i piknikut.

– Merrni me vete edhe gjërat që i keni punuar gjatë javës.

– Lejoni fëmijën të udhëheqë lojën. Nëse fëmija është më i vogël jepni disa sugjerime se çfarë mund të bëni me gjërat që i keni marrë. P.sh. a mund të mbushësh gotën me qumësht, ose çaj?, a mund ta vendosësh ushqimin në pjatë, etj.

– Gjatë piknikut ju mund të realizoni edhe disa lojëra si p.sh:

– Milingona e uritur: uluni ju së bashku me fëmijën dhe në mes vendosni një shumëllojshmëri të artikujve të piknikut, si peceta, termos, pjatë letre, sanduiç, pirun, banane etj. Fëmija mbyll sytë dhe ju bëheni “Milingona e uritur”. E hiqni një send dhe e fshihni atë pas shpinës. Kur fëmija hap sytë, ai duhet të qëllojë se çfarë i mori “Milingona e uritur”.

– Për bebet e vogla, mund të rregulloni një kënd “pikniku” duke përdorur një çadër në të cilën mund të lidhni objekte të ndryshme të lehta dhe me ngjyra të ndryshme për të inkurajuar lojën dhe eksplorimin. Çadrën e përforconi në mënyrë që mos të lëndohet fëmija. Ju mund të uleni bashkë me të dhe të emërtoni objektet që ai prek, apo pasi të ketë përfunduar me eksplorimin të lexoni ndonjë libër.