Të shpërndajmë dhuratat me këngë e valle tek gratë e familjes dhe disa ëmbëlsira të përgatitura vetë
Materialet dhe mjetet: Banane, çokollatë apo marmelatë dhe disa shkopinj.
Zhvillimi i aktivitetit: Sot është festa e gruas, t’ua mësojmë që në fëmijëri fëmijëve tanë respektin ndaj gruas, pavarësisht cilës gjini që i takon fëmija. Dhuratat që i kemi punuar gjatë javës së kaluar t’i shpërndajmë me këngë dhe valle tek gjyshja, gruaja e axhës, halla apo këdo që kemi të afërt në familje. Pse mos t’i shoqërojmë këto dhurata me diçka të ëmbël që mund ta përgatisim bashkë me fëmijën tonë dhe të ëmbëlsohemi së bashku për festë.
Mund të përdorni banane apo çfarëdo peme që keni në shtëpi, molla apo dardha, nuk ka dallim. Filloni t’i prisni pemët në pjesë më të vogla në mënyrë që të jeni gati për të filluar përgatitjen e ëmbëlsirës suaj. Çokollatën e shkrini në nxehtësi mesatare me pak vaj dhe qumësht duke e përzier, dhe më pas futni pemët e prera në çokollatën e shkrirë, duke i bashkuar me një shkop që të jenë më të lehta për t’i ngrënë dhe të duken më të bukura. Nëse nuk keni në shtëpi çokollatë, përdorni eurokremin apo marmelatën e reçelin e shtëpisë. Qëllimi është që fëmijët të mësohen të përgatisin diçka dhe t’ia dedikojnë festës së gruas. Përdorni kruese dhëmbësh në vend të shkopit dhe preni më të vogla pemët pasi kjo do t’ju ndihmojë më shumë si ide. Me kokos apo çfarëdo që keni në shtëpi mund t’i zbukuroni pemët tuaja ëmbëlsirë.