Cila perime është?
Materialet dhe mjetet: një shami, perime (karotë, lulelakër, spec, trangull, domate, qepë, hudhër, etj.).
Zhvillimi i aktivitetit: Sot do të argëtoheni duke e luajtur lojën symbyllas me fëmijën tuaj. Paraprakisht ju merrni afër vetes në një shportë perime të ndryshme, ato që i keni në shtëpi, dhe i pastroni. Në fillim ia mbyllni sytë vetes dhe kërkoni nga fëmija që t’ju japë në dorë një nga një perimet nga shporta, e ju me sy të mbyllur duke i prekur dhe përshkruar, përpiqeni ta gjeni se cila është. Pastaj ju ia mbyllni sytë fëmijës tuaj dhe do ia jepni një nga një perimet dhe fëmija duke i prekur duhet t’ia qëllojë cila perime është. Gjatë prekjes pyetni fëmijën se a është e fortë apo e butë? A është e vrazhde apo e lëmuar? A është e gjatë apo e shkurtër? Me bisht apo pa bisht? E rrumbullakët apo çfarë forme? etj.
Në fund kërkoni nga fëmija që t’ju ndihmojë të përgatisni një pjatë, duke krijuar forma të ndryshme nga perimet, si në shembullin në fotografi.