Ngjyrat e ylberit

Materialet dhe mjetet: Letra të bardha, letra me ngjyra, tempera dhe lodra të ndryshme.

Organizimi i aktivitetit: Ju mund t’i tregoni sot fëmijës për ylberin dhe ngjyrat e tij duke i lexuar një tregim apo  treguar një përrallë dhe duke ua treguar ylberin në foto.  Kërkoni nga fëmija që t’i thotë ngjyrat e ylberit. Më pas ju mund t’i ofroni fëmijës një letër dhe disa ngjyra dhe fëmija bën nga një vijë me secilën ngjyrë të ylberit duke e emërtuar secilën. Më pas, merrni nga një letër me secilën nga ngjyrat e ylberit [ose disa prej tyre] dhe vendosini në mes të dhomës. Kërkoni nga fëmija që të grupojnë gjësende me ngjyra të njëjta dhe t’i vendosi mbi letrat e vendosura në mes të dhomës.

Për fëmijë më të vegjël, në vend të letrave mund të vendosni tasa të vegjël dhe fëmija vendos në secilin prej tyre topat sipas ngjyrave. Po ashtu, mjafton një kuti apo një shishe plastike dhe lejojeni që të fusë në to fije me ngjyrat e ylberit apo topat me ngjyrat e ylberit. Fëmija mund t’i vendosë topat me ngjyra edhe në një tepsi me forma. Gjatë kësaj kohe, ju nxiteni fëmijën që t’i thotë ngjyrat e topave.

Sugjerim:

Emërtoni dhe numëroni së bashku me fëmijët ngjyrat e ylberit.