Vrapojmë pas fluturës
Sot do të punoni me fluturat. Do t’ju duhen peceta të kuzhinës, fije peri dhe ngjyra uji.
Ashtu sikurse në foto, nxitini fëmijët që t’i lidhin pecetat e kuzhinës në mes dhe përmbi to, të hedhin disa pika të ngjyrave të ujit.
Lejojeni fëmijën që t’i bëjë disa flutura të tilla, ashtu siç ai/ajo di vetë, pa u merakosur a janë të njëjta apo a duken bukur. Fëmija mund t’i vendosë fluturës edhe një shkop dhe të vrapojë nëpër shtëpi/banesë me të në dorë.
Më pas, meqenëse fëmijët duhet të luajnë çdo ditë të paktën 30 minuta jashtë në natyrë, pavarësisht motit, dilni së bashku jashtë në natyrë, në oborr apo në park.
Në fillim kërkoni nga fëmija që të gjejë flutura nëpër oborr apo park, dhe nëse i gjen, nxiteni atë që të përpiqet për t’i kapur.
Në rast se në oborr apo në park nuk ka flutura, atëherë fshihini diku nëpër oborr apo park fluturat që i ka punuar fëmija juaj dhe ai/ajo le t’i kërkojë dhe le t’i gjejë ato.
Po ashtu së bashku mund të bëni edhe një palë krahë të fluturës me ngjyra dhe t’ia lidhni fëmijës në shpinë sikurse në foto. Fëmija vrapon nëpër shtëpi sikur flutur.