Unë qep pullën
Kjo lojë zhvillon te fëmijët shkathtësitë për jetë. Qepja e kopsave (pullave) apo thurja me penj, modele të ndryshme zhvillojnë po ashtu shkathtësitë e muskujve të vegjël, kreativitetin dhe dashurinë për punën.
Për këtë aktivitet merren kopsa të mëdha, të cilat kanë vrima të mëdha.
Gjilpëra duhet të jetë e madhe dhe që nuk ka majë të mprehtë dhe ju duhen disa lloje të materialeve, apo karton, si dhe pe apo fill i trashë.
Fëmijës i afrohen pullat dhe materialet e ndryshme dhe i kërkohet që të qepë pullën.
Fillimisht, mos i ofroni udhëzime, lejojeni të provojë vetë se si duhet qepur pulla. Edhe nëse gabon është në rregull, kjo është rruga e tij/saj e të mësuarit. Kur fëmija ju kërkon ndihmë, ofrojini udhëzime të shkurtra.
Lejojeni ta provojë disa herë në disa lloje të materialeve. Përgëzojeni fëmijën gjatë punës dhe në fund të saj.
Për ta bërë më interesante lojën, kërkojini fëmijës që të vizatojë një figurë që dëshiron. Ju hapni vrimat në skajet e figurës nga duhet të kalojë fija e perit, kurse fëmija e qëndis atë figurë.