Iriqi
Materialet dhe mjetet: fletë e bardhë, ngjyra tempera, pirun, brumë apo plastelinë, shkopinj të njelmët, gjethe, kruese të dhëmbëve, thupra të vogla apo edhe fara të zeza, varësisht se çka keni në shtëpi.
Zhvillimi i aktivitetit: Iriqi sikur edhe ariu, gjarpri dhe breshka, në nëntor futet nën rrënjët e ndonjë druri apo nën ndonjë kaçubë dhe aty mbulohet me gjethe për ta bërë gjumin dimëror. Informojeni fëmijën se iriqi i ka gjembat dhe kur ndjen ndonjë rrezik ai mbështillet si top me gjemba për t’u mbrojtur. Sot mund të zgjidhni materiale të shumta me të cilat mund ta punoni iriqin varësisht nga materialet qe i keni në shtëpi. Në fletë të bardhë vizatojeni turirin e iriqit dhe pastaj ofroni fëmijës ngjyrë kafeje dhe pirun që fëmija ta shtypë pirunin në ngjyrë e pastaj në letër, apo edhe mund të ngjisë gjethe. Por ju mund ta punoni iriqin edhe nga plastelina (brumi) e fëmija t’i ngjisë gjembat nga ndonjëri prej materialeve të cekura më lart. Ju mund ta mësoni fëmijën edhe që të rrotullohet si iriq duke i mbledhur këmbët dhe duart herë para e herë anash.