Vija dhe forma të ndryshme

Materialet dhe mjetet: tabaka, kripë, laps, fleta me modele të vijave të ndryshme etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Merret një tabaka dhe mbushet me një shtresë të hollë kripe. Prindi apo kujdestari në disa fleta vizaton modele të ndryshme vijash. Fëmija në bazë të modelit të prezantuar kopjon vijat në model. Sipas dëshirës, poshtë tabakasë mund të vendoset një letër me ngjyra apo ndonjë stof me ngjyrë me qëllim që të vërehen më mirë format e vijave dhe formave. Është mirë që të përgatiten sa më shumë modele vijash dhe formash të cilat pas kopjimit me gisht apo me laps mund të krahasohen se a janë të ngjashme. Po ashtu, është me rëndësi të ndiqet kopjimi nga ana e majtë tek e djathta. Sipas dëshirës së fëmijës mund të vizatohen edhe forma dhe vija të tjera apo edhe të vizatohet sipas dëshirës.