Të përgatisim biskota

Materialet dhe mjetet: brumë i gatshëm për biskota që e përgatit prindi (1 ve, 1 gotë miell, 1 lugë vaj dhe 2 lugë sheqer), zbukurime të ndryshme dhe të thjeshta, gota me forma të ndryshme, kapakë apo çfarëdo që fëmijëve mund t’iu duket interesante për të krijuar format që ata dëshirojnë. 
Zhvillimi i aktivitetit: Të gjithë ne e dimë se çka preferojnë më shumë të vegjlit tanë, po pra, biskotat! Por, përse mos t’i lejojmë ata që t’i përgatisin dhe e gjithë familja së bashku t’i shijojë ato.
Fillimisht ia ofrojmë brumin e gatshëm që e përgatisim ne në prezencë të fëmijës dhe në një vend të përshtatshëm për ta hapur brumin. Pastaj e lejojmë fëmijën të shprehë kreativitetin e vet, duke ia bërë me dije se të gjithë së bashku do t’i hamë duke shikuar filmin tonë të preferuar, duke e bërë edhe më të rëndësishme përgatitjen e këtyre biskotave në mënyrë që fëmija të marrë përgjegjësi për diçka që e di që është e rëndësishme.
Pasi fëmija ta ketë përfunduar zbukurimin e biskotave, vendosini ato në furrë, për 20-25 min., në temperaturë 200-250 oC. Pasi të jenë pjekur dhe ftohur, lejoni që vetë fëmija t’i vendosë në pjata dhe t’i shërbejë vetë në tryezë.