Unë jam falënderues
Zhvillimi i aktivitetit: Mënyra më e mirë për të të zënë gjumi është me një zemër të lumtur. Inkurajojeni fëmijën tuaj për çdo ditë që përpara se ta zërë gjumi të flasë për gjërat për të cilat është falënderues. Përpara se ta filloni këtë praktikë, sigurisht filloni ju së pari dhe gradualisht fëmija do ta kuptojë çfarë do të thotë kjo dhe pastaj bëjeni rutinë çdo natë. Mund të thuani gjëra të vogla që kanë ndodhur gjatë ditës – për çdo ditë ju do të gjeni diçka për të cilën jeni falënderues. Për shembull, jam falënderues që sot kemi ngrënë drekën së bashku, që me ke dhuruar një përqafim, që kam takuar shoqen time, që kam biseduar me nënën në telefon, etj.
Ju do të habiteni se si pas një kohe fëmija do të artikulojë shumë gjëra që e kanë bërë të ndjehet mirë gjatë ditës. Është një rikujtim i mirë për të dy ju lidhur me atë se çfarë në të vërtetë ka rëndësi në jetë.
Këtë praktikë për një kohë mund ta avanconi duke shkruar në letër se për çfarë secili nga ju jeni falënderues dhe t’i vendosni këto letra në një kavanoz apo kuti për disa ditë me radhë. Pastaj kurdo që fëmija juaj nuk ndjehet mirë, ju mund të merrni një nga letrat dhe t’ia rikujtoni se sa mirë është kur ndjehemi falënderues dhe sa lehtë është të bëjmë gjëra të vogla e të mira për njërin-tjetrin.