Tregimi për kafshët

Sot do të luajmë me kafshët e preferuara.

Ju duhen disa libra me tregime për kafshët, disa kafshë lodra të fëmijës, një kuti e madhe si skenë teatri të cilën edhe mund ta improvizoni  duke e kthyer një karrige përmbys dhe duke e mbuluar pjesën e pasme me një çarçaf.

Uluni së bashku në këndin  e leximit dhe lexojani/tregojani fëmijës një tregim me kafshët të cilat i pëlqejnë më shumë. Angazhojeni edhe fëmijën gjatë leximit/tregimit, duke kërkuar nga ai/ajo që ta imitojë gjatë tregimit ndonjërën prej këtyre kafshëve.

Më pas mund t’i merrni kafshët lodra dhe tregimin që sapo e lexuat ta ktheni në një dramë ose shfaqje. Jepini fëmijës rolin e tij/saj.

Ju mund edhe ta përfshini fëmijën në  ngjyrosjen e fletëve ku është e vizatuar një kafshë, ose në mbushjen e figurës së kafshës me letra me ngjyra, me materiale të tjera ose fëmija mund edhe ta punojë kafshën me  material të butë [plastelinë prej brumi].

Nëse ju e prisni figurën e kafshëve në disa pjesë, krijoni një enigmë (puzzle) shumë të bukur dhe argëtuese për ta.