Tregimi i gjetheve

Rezultati i pritur: Fëmija thur tregimin e tij/saj sipas gjetheve “personazheve” që i ka punuar

Materialet dhe mjetet: gjethe të ndryshme, markerë apo ngjyra të ujit, gërshërë, ngjitës.

Zhvillimi i aktivitetit: Fëmija së bashku me prindin apo kujdestarin mbledhin gjethe të ndryshme në oborr apo park. Nga gjethet e mbledhura, fëmija zgjedh një gjethe për një personazh të caktuar, p.sh. ujku, e ngjyros me markerë apo ngjyra uji duke ia vizatuar fytyrën, apo nëse nuk shkruajnë mbi gjethe markerët që keni në shtëpi, hapni vrima me laps për sytë dhe për gojën. Përzgjidhni gjethe për personazhe aq sa fëmija dëshiron por jo më pak se dy sepse personazhet duhet të komunikojnë mes vete. Pas punimit të personazheve të dëshiruara, fëmija i vendos titullin tregimit, p.sh. “Zogu gjeth me të vegjlit e tij”. Fillimisht prindi thur një tregim të shkurtër me personazhet e veta dhe fëmija bëhet shikuesi, pastaj i ndërrojnë rolet dhe fëmija merr rolin kryesor, ndërsa thurja e tregimit vazhdon sipas imagjinatës së fëmijës. Prindi apo kujdestari luan rolin e spektatorit. Sa më shumë spektator të ketë më mirë sepse fëmija do të motivohet më shumë për të treguar tregimin e tij/saj.

Nëse fëmija dëshiron të shtojë personazhe të reja, i tregoni që mund t’i vizatojë gishtërinjtë me personazhe, mund ta përdorë makinën lodër apo kukullën që ka në shtëpi. Shtimi i objekteve në tregim i jep kreativitet lojës.

Nxiteni fëmijën të imagjinojë edhe tregime të tjera me personazhe tjera.