Supa me lule
Materialet dhe mjetet: lule të freskëta të ndryshme në madhësi dhe ngjyrë, gjethe, një enë e thellë plastike, ujë, enë të kuzhinës.
Zhvillimi i aktivitetit: Përpara se ta ftoni fëmijën për lojë, fillimisht mbushni ¾ e enës me ujë, sillni lule të freskëta, gjethe të freskëta dhe enë të ndryshme nga kuzhina, pjata apo tenxhere të vogla, lugë, gota, garuzhde, etj. Pa nxituar, emërtoni secilën enë duke ia treguar ato, dhe nëse dëshironi kërkojini fëmijës që ta bëjë edhe ai të njëjtën gjë. Ose nëse fëmija juaj i di emrat e enëve atëherë pyeteni atë se çfarë është një enë e caktuar dhe prisni t’ua tregojë emrin. Përdorni fjalët e vogël, e madhe, noton, fundoset, etj.
Demonstroni fëmijës se si t’i përdorë enët e ndryshme për të përzier ujin me lëvizje të ngadalshme, duke i shpjeguar se si lëvizjet e tilla mundësojnë që uji të mos lëvizë shumë dhe të dalë jashtë enës. Ky ushtrim i ndihmon fëmijës t’i mësojë lëvizjet e trupit të tij. Poashtu tregoni fëmijës lëvizje të ndryshme të ujit: në formë rrethi, zig-zage, etj. (dhe efektin e tyre në ujë.
Pastaj shtoni lulet dhe gjethet një nga një në ujë, dhe shikoni se si notojnë. Pastaj përdorini enët e ndryshme duke i treguar fëmijës se si mund t’i kapë lulet dhe gjethet. Lejojeni fëmijën të luajë dhe të argëtohet duke përdorur imagjinatën e tij.