Diell, më sill pranverën
Materialet dhe mjetet: letër kartoni, ngjyrë e verdhë, brushë, shkopinj të akullores, ngjitës.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se sa i rëndësishëm është dielli për jetën tonë. Pyeteni: çfarë ndodh në kopsht e në park gjatë dimrit, kur dielli ngroh pak? Po kur në pranverë fillon të ngrohë më shumë? etj.
Në letrën e kartonit kopjohen dy rrathë me ndonjë send që ka formën e rrethit. Forma e kopjuar pritet nga prindi apo kujdestari dhe ngjyroset nga fëmija me ngjyrë të verdhë. Dy rrathët lihen që të thahen derisa të ngjyrosen edhe shkopinjtë e akullores (në mungesë të shkopinjve të akullores mund të merren edhe shirita nga kartoni). Shkopinjtë e ngjyrosur më pas ngjiten me ngjitës në rrethin e diellit dhe mbi ta vendoset prapë ngjitës për rrethin e dytë të diellit. Mbi sipërfaqen e diellit mund të vendosen edhe letra vezulluese për t’i dhënë shkëlqim. Në skajin e diellit të punuar hapet një vrimë për ta lidhur një pe që dielli të mund të varet lart.
Sipas dëshirës mund të punohen edhe modele të tjera të diellit.
Sipas dëshirës mund të mësohet edhe poezia
Diell, më sill pranverën
Diell o diell, ngroh më shumë / Nga bora e bardhë bëje një lumë. / Lumë të gjatë e me shumë ujë / lumë të qetë e pa zhurmë. / Lumë të pastër si pasqyrë. Që të shoh ty më mirë. / Shkëlqen lumi si kristal. Gjallëron fushë e gjallëron mal. /